Pas një sërë vizitash në Ballkanin Perëndimor, presidentja e Komisonit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vizituar edhe Shqipërinë.
Në një konferencë me kryeministrin Rama, është bërë e ditur se BE ka ndarë për Shqipërinë një grant prej 80 milionë eurosh dhe dhe 500 milionë euro për të investuar në sektorin e energjisë elektrike, transmeton Fol Drejt.
E ndihmën e BE-së e ka komentuar edhe kryeministri Rama, i cili e ka konsideruar si një shifër të konsiderueshme me të cilën mund të mbulohet 1/6 pjesë e kostove të nevojshme për energjinë.
“80 milionë euro grante nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme. Për t’u përgjigjur pyetjes, sa pjesë e të tërë nevojës janë që të mbrojmë çmimin e familjeve, janë një e gjashta. Nëse i referohemi këtij viti, na është dashur në total, 460 milionë euro. Një shumë e kombinuar nga buxheti i shtetit dhe OSHEE. Një shumë që ka ndihmuar edhe për inflacionin.
Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Po ta kishim prekur qoftë dhe pak çmimin e energjisë, do të kishte reflektuar menjëherë te të gjitha çmimet e familjeve. E dyta, nuk do ta rrisim çmimin e energjisë. Vendosja e fashës nuk është rritje, por vendosja e një tavani, nën të cilin çdo familje mund të kryejë nevojat bazike, pa pasur nevojë për më shumë.” – ka thënë në konferencë kryeministri Rama./FolDrejt/