163 vatra zjarri janë shuar në të gjithë territorin e vendit, ndërsa vijon beteja prej 11 ditësh me flakët në vendin tonë.
Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë një bilanc të punës së kryer nga efektivët e Forcave të Armatosura, të cilët kanë shkuar në ndihmë të autoriteteve të pushtetit vendor, kur është kërkuar ndërhyrja e tyre.
Për 11 ditë është punuar nga toka dhe nga ajri në vatrën e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Kjo vatër është e izoluar në pjesën më të madhe të tij.
U shua në një kohë rekord zjarri i rënë më datë 30.07.2021, në vendin e quajtur “Qafa e Hartës” në Ksamil, bashkia Sarandë, duke shmangur me sukses rrezikun që paraqitej për banesat aty pranë.
Zjarri i rënë në Himarë, Livadhë u shua në kohë të shpejtë, duke mos i lënë flakët të kalojnë në zonën ku pushonin turistët.
U realizua me sukses mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe e banorëve nga zjarri që ra në fshatin Kutal, bashkia Përmet.
Zjarret e rëna në fshatrat: Qestorat, Dhoksat, A.Lengo, A.Zeneli, Krinë, Tranoshisht, Saraqinisht, në bashkinë Gjirokastër u shuan përfundimisht, duke shpëtuar në kohë banorët dhe banesat, por fatkeqësisht vetëm me një humbje jete dhe një të lënduar, raporton tch, përcjell FolDrejt.com.
Zjarri i rënë në bashkinë Kurbin me datë 01.08.2021, në njësinë administrative Mamurras, në një sipërfaqe me pyll pishe dhe lis u shua ne kohë duke shmangur rrezikun e banesave aty pranë.
Zjarri i rënë në bashkinë Vorë, zona e Gërdecit, u menaxhua në kohë duke shmangur rrezikun e banesave qe ishin shume pranë vatrave.
Edhe flakët në qytetin Fushë Arrëz, u menaxhuan pa kaluar tek banesat aty pranë.
Është shuar tërësisht edhe vatra e zjarrit në Kalis të Kukësit, i cili rrezikoi edhe banesat e zonës.