Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për “përshkallëzimin e retorikës” në Mal të Zi në prag të ceremonisë së marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
SHBA-ja u bëri thirrje gjitha palëve që të punojnë për të qetësuar tensionet.
“Ne inkurajojmë autoritetet malazeze dhe Mitropolinë e Kishës Ortodokse Serbe që të bashkëpunojnë ngushtë dhe mbi të gjitha të garantojnë sigurinë e qytetarëve”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.
Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se marrja e detyrës nga ana e Joanikijes do të bëhet më 5 shtator në Cetinje. Aty pritet të marrin pjesë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Porfirije dhe priftërinj të tjerë të lartë.
Një protestë u mbajt më 22 gusht ku u kërkua që ceremonia e kurorëzimit të Joanikijes në Cetinje të konsiderohet si një “akt pushtues”.
Departamenti i Shtetit vlerëson gjithashtu se Mali i Zi është i “njohur për një kohë të gjatë si një vend i tolerant” dhe se të gjithë “qytetarët duhet të kryejnë pjesën e tyre të obligimeve për të respektuar këtë traditë krenare”.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin lirinë fetare, duke përfshirë të drejtën e individëve për të praktikuar fenë e tyre lirshëm. Në të njëjtën kohë, ajo gjithashtu mbështet lirinë e shprehjes, përfshirë të drejtën për tubim paqësor”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Kuvendi Komunal i Cetinjës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme më 27 gusht, për të diskutuar rreth një apeli ndaj Kishës Ortodokse Serbe që të heqë dorë nga ceremonia dhe ta mbajë atë diku tjetër.
Qyteti Cetinje, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.
Vlladimir Veljkoviq një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.
Cetinje konsiderohet gjithashtu selia e Kishës Ortodokse Malazeze, e cila nuk njihet nga asnjë kishë kanonike, por ka mbështetjen e Patriarkanës së Kievit të Ukrainës.
Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.
Çështja e pronësisë kishte shkaktuar tensione gjatë vitit 2019 dhe 2020 në Mal të Zi.
Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviqit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.
Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – e ndryshoi ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.