Doli nga shtypi libri i Korab Krajës me titull “Kraja: Rehabilitimi dhe promovimi kulturor. Vështrim historik, kulturor dhe arkitekturor”.
Libri u botua nga Shtëpia botuese “Botime Artini” (Prishtinë) dhe nën përkujdesjen redaktuese të Prof.Dr. Florina Jerliut dhe z. Ali Gjeçbritajt, si dhe me ndihmën financiare të z. Zaim Hajdarit (ShBA), të cilët i falenderoj për mbështetjen profesionale dhe motivuese.
“Libri merr për bazë të dhënat studimore dhe hulumtuese historike, gjeografike, ndërtimore, etnosin, legjendat, ngjarjet e personalitetet që përbëjnë korpusin e vlerave historike, shpirtërore, estetike dhe natyrore që ndihmojnë në përcaktimin e trashëgimisë kulturore dhe orientimin e trevës së Krajës drejt zhvillimit me anë të parimeve të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë materiale dhe jomateriale. Studimi, poashtu synon që këtë trevë ta trajtojë për herë të parë edhe për nga rrafshi i trashëgimisë arkitekturore, që përbën pjesën më të rëndësishme të librit. Treva etnografike e Krajës shoqërohet me tiparet dalluese dhe përcaktuese të identitetit të peizazhit kulturor dhe përbën kështu, një potencial të rëndësishëm studimor.
Duke i parë mangësitë dhe kërcënimet që ka dhe i kanosen Krajës, është menduar prej fillimit një rehabilitim i saj. Rehabilitimi, i shprehur si koncept i mbrojtjes, është bërë me promovimin e trashëgimisë kulturore. Kësisoj, rehabilitimi do të bashkëveprojë me promovimin dhe kështu, këto dy koncepte do ta plotësojnë njëra-tjetrën.
Prandaj, le të jetë ky punim një kontribut për plotësimin e boshllëkut të deritashëm në literaturën kërkimore e profesionale dhe le të bëhet faktor shtysë për studimet e mëtutjeshme për një trevë, si kjo e Krajës, me burime të pashterrura arkitekturore, etnografike dhe kulturore në përgjithësi.
Libri u botua nga Shtëpia botuese “Botime Artini”(Prishtinë) dhe nën përkujdesjen redaktuese të Prof.Dr. Florina Jerliut dhe z. Ali Gjeçbritajt, si dhe me ndihmën financiare të z. Zaim Hajdarit (ShBA), të cilët i falenderoj për mbështetjen profesionale dhe motivuese”, thotë autori në një postim të bërë në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ky është libri i parë i botuar nga Korab Kraja./FolDrejt/