Ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, ka vizituar ambulancat specialistike të Spitalit të Mitrovicës, që u përfshinë nga uji pas reshjeve të dendura të shiut.
Siç njofton SHSKUK, në takim me drejtoreshën e Spitalit, Luljeta Buçinca-Zhubi, Zejnullahu-Raçi është njoftuar se ditën e djeshme, pas reshjeve të pandalshme të shiut, meqë ambulancat ndodhen në bodrumin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, janë vërshuar nga uji.
“U.d. drejtoresha Zejnullahi-Raçi, ofroi mbështetje të plotë nga ShSKUK për ta tejkaluar sa më parë këtë situatë.
Aktualisht, po punohet nga shërbimet përkatëse që po largojnë ujin.
Shërbimet shëndetësore ambulantore ortopedike janë ofruar në objektin e Spitalit të Mitrovicës, përderisa Reparti i Pediatrisë që vepron në kuadër të QKMF-së, po vazhdon të ofrojë shërbime mjekësore.
Në objektin e Spitalit ku ndodhen repartet e tjera nuk ka pasur telashe pas vërshimeve”, thuhet tutje në njoftimin e SHSKUK-së./FolDrejt/