10 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga Covid-19.
Përpos kësaj gjatë të njëjtës kohë janë konfirmuar edhe 705 raste të reja të të infektuarve me koronavirus duke e çuar kështu numrin e rasteve aktive në 12 mijë e 808.
Lajmi.net ka kontaktuar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës të cilët kanë bërë të ditur se janë gjithsej 865 pacientë të shtrirë në klinika dhe spitale anembanë vendit, por që 706 nga këta pacientë janë konfirmuar si të prekur me COVID-19.
Gjendja e këtyre pacientëve është kësisoj: 11 prej tyre janë në respiratorë, 25 të tjerë në CPAP dhe 669 pacientë janë me oksigjeno-terapi.
Në Klinikën Infektive I janë gjithsej 118 pacientë të hospitalizuar të gjithë të konfirmuar si pozitiv me COVID-19, kurse në Klinikën Infektive II janë 91 pacientë ku 82 prej tyre janë të konfirmuar si të prekur me koronavirus.
Në Klinikën e Pulmologjisë janë gjithsej 85 pacientë të shtrirë, ku 34 prej tyre janë pozitiv me COVID-19, ndërsa në Klinikën Pediatrike janë gjithsej 16 pacientë ndërsa katër prej tyre janë konfirmuar me koronavirus.
Llogaritur në numrin e shtretërve numri i shtretërve në kuadër të Klinikës Infektive në QKUK është gjithsej 120, e vende të lira në kuadër të kësaj klinike janë vetëm dy.
E ngjashme është situata edhe në Klinikën Infektive II dhe III, ku në të parën janë shtatë shtretër të lirë, kurse në të tretën janë vetëm 9.
Duhet përkujtuar që Kosova po vazhdon të përballet me një situatë mjaftë të rënduar si pasojë e rasteve të shumta me COVID-19.
Shteti ynë vazhdon të jetë ndër vendet e pakta të botës që vazhdon të mos ketë asnjë dozë vaksine anti-COVID.