Pas vrasjes që la të vrarë 35-vjeçaren shtatzënë në oborrin e QKUK-së, bashkë me foshnjen e saj, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu, me anë të një postimi në facebook, e quajti rastin si krim të rëndë, vrasje të dyfishtë, transmeton Fol Drejt.
“Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!
Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët.
Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë.
Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur”, u shpreh ministrja Haxhiu.
Sipas saj, këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tone dhe se rastet si ky bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve të ndërmarra, duhet ende shumë punë.
“Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave.”, ka thënë tutje Haxhiu.
Haxhiu tutje ka bërë të ditur se nesër në orën 08 e 30 do të mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
“Familjarëve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta!
Kriminelit dënimin më meritor!”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/