Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se gjithçka që është nënshkruar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet.
Në një intervistë për Euronews, Vuçiq ka theksuar se kur është fjala për Bashkimin e Komunave Serbe, nën patronatin e BE-së janë nënshkruar katër marrëveshje, përkatësisht plani i zbatimit, parimet, menaxhmenti dhe Marrëveshja e Parë.
“Këto janë katër marrëveshje. Tashmë kemi nënshkruar gjithçka dhe, natyrisht, është nënshkruar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe duhet të zbatohet. Dhe ky nuk është qëllimi përfundimtar. Qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku, të jetojnë shumë më mirë dhe të respektojnë njëri-tjetrin, pa armiqësi. “Nuk kam në plan të flas për fajin e askujt, nuk ka rëndësi nëse do të ndodhë për tre muaj apo tre vjet, por nëse ia dalim, do të jetë një sukses historik”, tha Vuçiq./FolDrejt/