Ministri i angazhuar për Diasporë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhemail Çupi, ka njoftuar se deri në fund të këtij viti do të fillojnë negociatat për një marrëveshje bilaterale për sigurimet shoqërore me Republikën e Kosovës.
Për këtë ai njoftoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Një nga aktivitetet e planifikuara të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale është rishikimi i marrëveshjeve ekzistuese bilaterale për sigurimet shoqërore të diasporës.
Duke pasur parasysh se Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut vlen edhe me Republikën e Kosovës, për konfirmimin e periudhave të sigurimit për ushtrimin e të drejtës për pension, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka nisur procedurën për lidhjen e një marrëveshjeje të re dypalëshe për sigurimet shoqërore, e cila do të rregullojë edhe ushtrimin e të drejtave të tjera në fushën e sigurimeve shoqërore.
Pritet që deri në fund të vitit 2022 të fillojnë negociatat për një marrëveshje të re bilaterale për sigurimet shoqërore me Republikën e Kosovës”, u shpreh Çupi./FolDrejt/