Agjencia e barnave të Zelandës së Re deri në fund të javës së ardhshme pritet të miratojë vaksinën e Pfizer-it kundër koronavirusit (COVID-19) për përdorim emergjent, deklaroi kryeministrja Jacinda Ardern.
Paralajmërimi erdhi pasi në këtë shtet u konfirmua rasti i parë i infektimit me mutacionin afrikanojugor të koronavirusit.
“Po bëjmë përparim drejt momentit kur do të fillojë vaksinimi i qytetarëve të Zelandës së Re kundër koronavirusit, ne jemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar një vaksinë të sigurt dhe efektive”, tha Ardern.
“Komiteti këshilldhënës ministror do të rishikojë kontributin e Medsafe mbi rreziqet dhe përfitimet e paraqitura nga kompanitë farmaceutike dhe, në varësi të rezultateve, Medsafe mund t’i jepet leje e përkohshme në ditët në vijim”, tha kryeministrja.
Ajo theksoi se qëllimi është vaksinimi i sa më shumë banorëve të Zelandës së Re, që është rreth 5 milionë persona. Me pas theksoi se hapja ndaj pjesës tjetër të botës në këtë moment është rrezik, duke hedhur poshtë heqjen e kufizimeve në udhëtimet ndërkombëtare.
Të hënën, Australia sërish vendosi karantinë për udhëtarët që vijnë nga Zelanda e Re.
Përmes testimit u konfirmua se një grua 56-vjeçe nga veriu i Zelandës së Re u infektua me llojin e ri të mutacionit afrikanojugor.
Deri tani në Zelandën e Re nga COVID-19 janë sëmurë 2.290 persona ndërsa 25 kanë humbur jetën si pasojë e infektimit.