Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Greqinë për katër vitet e ardhshme, partia konservatore në pushtet, Demokracia e Re (ND) në fushatën elektorale theksuan nevojën për stabilitet, ndërsa partitë opozitare theksuan një krizë në rritje të kostos së jetesës.
Greqia, me ekonominë e saj të varur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe turizmi, u godit rëndë nga pandemia e koronavirusit COVID-19 dhe si rrjedhojë në vitin 2020 ekonomia greke u tkurr me afër 10 për qind, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi në shkurt të vitit të kaluar, nuk çoi në një rënie të aktivitetit ekonomik, por e bëri jetën shumë më të shtrenjtë për miliona familje greke për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Gjithashtu një skandal, që shpërtheu vitin e kaluar dhe zbuloi se nën vëzhgim nga shërbimet sekrete të vendit ishin shumë politikanë, gazetarë dhe biznesmenë të vendit, përfshirë kreun e partisë opozitare PASOK, Nikos Androulakis, shkaktoi reagime të forta nga partitë opozitare greke dhe pjesërisht nga mediat evropiane, por qeveria mbijetoi.
Edhe aksidenti vdekjeprurës i trenit i 28 shkurtit që vrau të paktën 57 persona nuk e rrëzoi qeverinë siç shpresonte opozita, megjithëse fillimisht mobilizoi publikun pro opozitës në rrugët anembanë vendit.
Duke folur për Anadolu, një drejtuese e lartë e fushatës së ND-së, Aliki Katoka, tha se kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë mandatit të tij duhej të përballej me një sërë problemesh të mëdha, përfshirë luftën e vazhdueshme Moskë-Kiev, pandeminë COVID-19 dhe fluksin e emigrantëve.
“Pa dyshim, ai i adresoi me sukses të gjitha këto. Për katër vitet e ardhshme, nëse zgjidhet, rritja e të ardhurave të pensionistëve do të jetë ndër prioritetet e tij”, tha ajo.
Nga ana tjetër, sekretari i organizatës rinore i partisë më të madhe opozitare SYRIZA, Sotiris Alexiou, për Anadolu tha se partia është e vendosur të zbatojë politika ekonomike që do të favorizojnë njerëzit e thjeshtë dhe si rrjedhojë do të reduktohet pabarazia në të ardhura.
“Në Evropë, në dekadat e fundit, politikat të cilat përgjithësisht anashkalonin problemet e njerëzve laikë, i larguan masat nga politika. Megjithatë, ndryshimi në Greqi dhe në Evropë është i mundur përmes pjesëmarrjes në zgjedhje. Prandaj, ata duhet të marrin pjesë fuqishëm në politike dhe të votojnë për të përcaktuar të ardhmen e tyre”, tha ai.
Ndërkaq, Yannis Papagiorgopoulos, këshilltar politik në partinë social-demokrate PASOK-KINAL, pajtohet se Greqia ka përjetuar një krizë të madhe të kostos së jetesës, e manifestuar veçanërisht në kostot e larta të energjisë dhe qiratë.
“Nëse ne marrim pushtetin, rritja e prosperitetit të kombit dhe rivendosja e shtetit ligjor do të jenë shqetësimet tona kryesore”, tha ai.
Johan Schultz, një vullnetar i fushatës me partinë MeRA25 të ish ministrit të Financave, Yanis Varoufakis, tha se partitë ND dhe PASOK janë parti që shpërfillin interesat e njerëzve të thjeshtë në Greqi.
“Që nga viti 2008, politikat ekonomike të qeverive të ndryshme greke kishin të bëjnë me interesat e zotëruesve të kapitalit, jo të njerëzve të thjeshtë”, tha ai.
Efi Zafitiou, një drejtuese e lartë e fushatës së Partisë Komuniste të Greqisë (KKE), pohoi se partia në pushtet ND dhe opozita më e madhe SYRIZA janë dy anët e të njëjtës medalje, megjithëse në media në çdo rast ato sulmojnë ashpër njëra-tjetrën.
“Megjithatë, ato bazohen në të njëjtat parime dhe strategji. KKE-ja është e vetmja parti që propozon politika pro popullore”, tha ajo./FolDrejt/