Gjenocidi ndaj civilëve të Gazzës dhe izolimi i saj total duke ja mohuar rezolutën për shpalljen e emergjencës humanitare, hapjen e korridoreve humanitare, në njërën anë dhe heshtjen tonë dhe të botës islame, në anën tjetër, më ngjan me dy histori Kur’anore, ku të dyja kanë skenarin dhe përfundimin e njëjtë, por ndryshojnë rrethanat dhe aktorët, madje këto dy ngjarje kanë edhe emrat e njëjtë sepse të dyja kanë të bëjnë me hapjen e një hendeku të madh, pra njëra njihet në historinë Islame si Beteja e Hendekut ndërsa e dyta si Njerëzit e Hendekut, apo njerëzit që u hodhën dhe u dogjën në Hendek.
Opinion nga Dr. Sc. Xhemail Çupi
Ditët që lamë pas kanë qenë shumë të vështira dhe të trazuara për të gjithë ne, që pavarësisht se jemi gjeografikisht larg atyre vendeve, me zemër, me shpirt dhe me lutjet tona jem shumë afër. Më kuptoni mirë, shkrimi im nuk ka të bëjë me pozicionime pro / kundër apo me propagandë politike apo fetare, por i inspiruar nga videoja e Omer Sulejman, ka të bëjë thjesht me ndjenjën empatike dhe humane për të gjithë ata që çdo ditë janë viktimë të kësaj lufte shekullore të padrejtë, duke nisur prej fëmijëve, pleqve, nënave dhe civilëve në përgjithësi.
Fatkeqësia është se jo të gjithë mendojnë kështu si ne, sidomos kur krahasohemi me atë që e shohim përreth nesh, kur jemi në punë me kolegët, kur dëgjojmë debatet dhe analizat mediatike, kur dëgjojmë se çfarë thonë personalitet vendore apo botërore, duke nisur prej politikanëve, artistëve, sportistëve e kështu me radhë, pastaj shohim në rrjetet sociale shok dhe miq të zakonshëm që shpërndajnë apo komentojnë lloj-lloj propagandash nga më të këqijat në kundërshtim me ndjenjën tonë fillestare, dhe kjo na mërzit jashtë mase duke na shtyrë të themi: “Mendova se ky ishte një person i mirë! Mendova se ky është dikush që e ka kuptuar gjendjen e vështirë të myslimanëve!
Mendova se ky është dikush që nuk do të binte pas indoktrinimeve dhe stereotipave raciste për komunitetin mysliman! Mendova se ishte dikush që mund të analizonte pak më thellë mashtrimet dhe propagandat që janë duke u përhapur me shpejtësinë e dritës”! Dhe në moment të kaplon një ndjenjë vetmie. Kjo është edhe arsyeja pse shkruaj, sepse kam një shqetësim në zemër që më ka trazuar dhe mendoj se duke e ndarë me ata që kanë ndjenjë të njëjtë, na lehtësohet sado pak të dy palëve. Në fakt, kjo që përjetojmë secili prej nesh në vetmi, apo në grupe më të vogla, në shikim të parë nuk është se ka ndonjë jehonë të madhe, apo thënë thjesht nuk është se luan ndonjë rol apo ndryshon diçka në gjendjen e tyre, atëherë pse duhet lodhur?! Kështu do të ishte nëse nuk do ekzistonte lidhshmëria shpirtërore e ummetit islam që përmes sakrificës, kontributit dhe lutjeve të përbashkëta, është dëshmuar se është katalizator i ndryshimeve pozitive në botë.
Të thellohemi pak në Betejën e Hendekut apo më saktë në rrethimin e Medines nga Aleanca pagane e gadishullit arabik për shkatërrimin total të myslimanëve të Medinës dhe vrasjen definitive të Profetit Muhamed. Është një histori me plotë urtësi por ne do shpalosim vetëm sekuencën e ndjenjës së frikës dhe panikës fillestare të banorëve të Medinës. Ja sa bukur e përshkruan Allahu gjendjen e tyre psikologjike:
“Kujtoni kohën kur ushtria ju sulmoi nga lart dhe nga poshtë (nga poshtë sulmuan mohuesit dhe nga lart hebrenjtë), kur sytë tuaj u errësuan dhe zemrat ju erdhën në fyt dhe shumë nga ju filluan ta paragjykonin Zotin. Atëherë u sprovua besimi i besimtarëve dhe ata u tronditën nga koka gjer në këmbë. Kujtoni kohën kur hipokritët dhe ata me zemra të sëmura, zunë të flisnin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij na bënë premtime të rreme”. Sërish, kujtoni kohën kur një grup prej tyre shkoi te besimtarët dhe tha: “O banorët e Jethribit (Medinës)! Nuk mund t’ju shpëtojë më as ndonjë kështjellë as ndonjë strehim tjetër, andaj mbathjani! (Kuran, surja Ahzab, 11-14). Në këtë gjendje makthi ku numri i armiqve ishte disa herë më i madh se ai i myslimanëve me armatime ushtarake më të mëdha, disa myslimanë erdhën te Profeti a.s. dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Gjërat janë përkeqësuar shumë. Nuk po duket ndonjë shpresë që Medina do të shpëtojë. Lutuni Zotit të Lartësuar në mënyrë të veçantë dhe edhe neve na mësoni ndonjë lutje për të bërë, që bekimi i Allahut të Lartësuar të zbresë për ne”. “Mos u shqetësoni!”, u tha Profeti a.s., “lutuni Zotit që Ai t’jua mbulojë dobësitë, t’jua forcojë zemrat dhe t’jua largojë frikën”.
Në ajetin 173 të sures Ali Imran Allahu xh.sh. përmend edhe thëniet e dyfytyrësheve, skeptikëve, dyshuesve, analistëve politik, moderatorëve televiziv të parapaguar e shumë të tjerëve që jetonin mes myslimanëve por kishin një rol shumë negativ, që të bënin pesimistë pjesëmarrësit në mbrojtjen e Medinës, duke u thënë atyre: “Përnjëmend njerëzit janë bashkuar kundër jush, pra, frikësojuni atyre!”.
Në luftën e Hendekut është përdorur një taktikë e ngjashme me atë që shohim dhe dëgjojmë sot në Gazza, me një synim shumë të saktë për të shtirë frikë dhe panik te banorët e Medinës, duke ua ndërprerë të gjitha burimet e furnizimeve ushqimore, saqë transmetohet nga Xhabir ibn Abdillah se e ka parë Pejgamberin a.s. që kishte të lidhur një gurë në bark nga uria. Në këtë gjendje ishin të gjithë banorët e Medinës. Ata ishin nën rrethim për një muaj të tërë dhe mekasit paganë u ndërprenë atyre çdo burim të mundshëm të furnizimeve me ushqime, pije dhe barna që të mos futen në Medine. Në fillim, ato kishin rezerva ushqimore, por me kalimin e ditëve, ushqimi i tyre po mbaronte. U mbaroi edhe uji. Ata edhe pse ishin të rraskapitur nuk mund të pushonin dhe të flinin nga sulmet e papritura të armikut. Në të njëjtën kohë ato kuptuan se kanë edhe armiq nga brenda, se ka nga ata që po komplotojnë për t’i sulmuar pas shpine.
Imagjinoni panikun, imagjinoni frikën që mund të ketë depërtuar tek ato në ato momente. Unë dua që ju të imagjinoni veten në atë hendek ku në çdo minutë ka një përpjekje për t’ju sulmuar dhe goditur. Dhe ju jeni duke bërë rojë dhe nuk guxoni as të mbyllni sytë edhe pse jeni të rraskapitur.
Dhe tani, imagjinoni në këtë moment e gjithë njerëzimi t’ju thonë: “Ju djema, kot lodheni, puna juaj është e kryer, ju keni mbaruar, s’ka shpëtim për juve, ju ose do ju vrasin ose do ju burgosin”. Shihni rreth e rrotull, të gjithë janë të lodhur e të rraskapitur, e mendoni se si do t’i mbijetoni kësaj furtune! Normal që keni frikë. Nuk keni asnjë shans. E gjithë bota është mbledhur kundër jush. Ndërsa ju jeni vetëm.
Dhe çfarë thotë Allahu?
Allahu nuk u dërgoi atyre engjëj që ata të mund të shihnin ndihmën hyjnore përpara tyre. Por Allahu u dha diçka tjetër më të madhe se kjo. Ai thotë në vazhdim të ajetit: “kjo (propagandë kundër tyre) pikërisht ua shtoi besimin“. Ata ishin në pikën kulminante të pjekurisë së tyre shpirtërore, saqë thanë: E dini çfarë? “Na mjafton Allahu dhe Ai është mbrojtësi më i mirë”. Ne kemi qenë me Allahun aq gjatë sa të dimë se Allahu nuk na ka braktisur. Nuk na frikëson as numri i madh i ushtrisë kundërshtare e as artileria e madhe e tyre. Nuk ka fjalë adekuate për të na tronditur, sepse ne jemi njerëz besimtarë. Ne besojmë Allahun dhe e dimë se Ai nuk i braktisë të dashurit e Vet. Ne e dimë se nuk jemi vetëm në këtë mision të shenjtë. Madje nuk kemi nevojë të shohim as mijëra engjëj të zbresin nga qielli. Ne e dimë, se fitorja dhe ndihma vjen vetëm nga Allahu, se ndihma hyjnore është në rrugën e saj.
Të dashur vëllezër dhe motra, populli i Gazës për momentin që jemi duke lexuar, po përballet me një gjenocid të paparë deri më sot. Dhe po e përjeton këtë para syve reale dhe virtuale të botës. Dhe propaganduesit po bëjnë gjithçka që munden për ta fshehur këtë gjenocid fashizoid nga sytë e publikut, për ta fshehur nga sytë e njerëzve objektivë, madje e justifikojnë atë si diçka që patjetër duhet të ndodh.
Ti kthehemi ngjarjes së dytë ku flitet për historinë famoze të besimtarëve që u detyruan të hidhen e të digjen në zjarrin e hendekut (Ashabul Uhdud), të magjistarit, murgut dhe djalit që duhej të zgjidhte mes magjistarit keqbërës dhe murgut besimtar. Edhe prej kësaj historie mund të nxjerrim shumë urtësi, por ajo që na intereson në rastin tonë është se kur djali, murgu dhe banorët zgjodhën të vërtetën karshi blasfemisë, zgjodhën të besojnë Zotin e jo mbretin, ata i hodhën në një hendek të mbushur me prush dhe zjarr. Është interesante se kur Allahu xh.sh. përmend suksesin, suksesi te Ai dallon nga ajo e syve tanë. Allahu xh.sh. përmend për njerëzit që u hodhën në hendek dhe u vranë se kanë korrur një sukses të madh sepse ata e mbajtën besën e dhënë ndaj Allahut xh.sh..
Në sytë e botës armike numri i madh i të vrarëve në Gazza është një sukses për ta, por për ne, s’ka dilemë se të gjithë ata që vuajtën nga mizoria dhe shtypja dhe u persekutuan ata janë në parajsë. Fitorja e tyre është arritur. Në fakt, ata që kanë humbur jemi ne, që qëndrojmë jashtë hendekut dhe nuk i kryejmë obligimet ndaj atyre që janë brenda “hendekut”.
Po cilat janë obligimet tona si myslimanë në këtë rast?!
Çfarëdo fuqie që kemi, çfarëdo platforme që posedojmë, çfarëdo zëri që kemi, çfarëdo parash që kemi, çfarëdo duaje që kemi, nëse e përdorim atë për Allahun ne nuk jeni vetëm, por bëhemi pjesë e ummetit. Kujtoj që në betejat e Muhamedit a.s. nuk ishin vetëm sahabët që qëndronin pranë tij, apo ndihma e engjëjve të Zotit, por kishte edhe si rasti i poetit Hasan Eth-thabit i cili u ngrit dhe mbrojti Profetin a.s. me armën e tij kryesore, poezinë, kundër shpifjeve të hipokritëve. Zoti nuk kërkon nga ne jashtë kapaciteteve dhe mundësisë sonë. Në rastin konkret kërkon që të luftohet propaganda e keqe virtuale dhe mediatike kundër popullit të shtypur dhe në këtë rast secili prej nesh duhet ta jep kontributin e vet modest që të del në sipërfaqe e vërteta se në Gazza janë duke u shtypur të pafajshmit për të drejtën e tyre elementare të ekzistencës dhe vetëvendosjes. Kjo nuk ka të bëjë me politikë, por kjo është pjesë e besimit tonë.
A mund te keni pasoja?
Patjetër që po. Ndoshta me këtë mund të hidhërohet një pjesë e madhe e rrethit tënd që nuk mendojnë si ty. Ndoshta do ua kthejnë shpinën politikanët tuaj të preferuar! Ndoshta do të merrni një letër nga puna se jeni të përjashtuar! Ndoshta do ju godasin në pikën tuaj më të dobët! Ndoshta do ju hiqet llogaria juaj në mediat sociale? Ndoshta. Kujt i intereson? Kujt i bëhet vonë? Në kohën kur njerëzit mbajnë në duar foshnjat e tyre të vdekura dhe thonë, Elhamdulilah, duke e ditur se fitorja vjen nga Allahu xh.sh., kujt i intereson nëse përballemi me pasoja materiale, nëse përpiqemi të jemi zëri i tyre jashtë hendekut!
Dhe nëse njerëzit thonë: “Kot e keni, Gazza, Palestina dhe Kudsi është një betejë e humbur”. Thoni atyre: Gazza do të triumfojë, Palestina do të çlirohet, Kudsi do të kthehet në vend tubim të myslimanëve nga e tërë bota dhe paqja do kthehet në botë, njëjtë si në kohën e Omerit r.a. dhe si në kohën e Salahudin Ejubit r.a. sepse ky është premtim i Zotit. E nëse ju pyesin se si, përgjigjuni me ajetin Kur’anor:
“Ndihma vjen vetëm prej Allahut të Plotfuqishëm, të Urtë” (Ali imran: 126).