Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar sot pasi mbrëmë së bashku me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka takuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, duke deklaruar se janë thellësisht të shqetësuar për situatën në veri të Republikës së Kosovës.
“I dërguari amerikan Gabriel Escobar dhe unë u takuam me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bisljimi. Jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në veri dhe bëjmë thirrje për deeskalim të menjëhershëm në terren, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve në Kosovë dhe kthimi në dialogun për normalizim”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Të hënën në mbrëmje, pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se ai dhe Escobar kërkuan nga kryeministri i Kosovës qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog, transmeton Fol Drejt.