Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit, vendosi ndryshime në Kodin Penal të këtij shteti, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
Kompetencat e Bonit i japin atij të drejtë për të shtyrë përpara vendime, për të cilat, akterët e tjerë politikë nuk shfaqin vullnet për një gjë të tillë. Inzko e mori këtë vendim, disa ditë para përfundimit të mandatit të tij në Bosnje.
Përfaqësuesi i lartë deklaroi se mohimi i gjenocidit dhe mohimi i krimeve të tjera të luftës janë veçanërisht të rrezikshme në një vend si Bosnja, e cila në të kaluarën e saj të afërt, ka përjetuar fushata të tmerrshme të spastrimit etnik dhe krimeve masive të kryera gjatë një konflikti brutal dhe të përgjakshëm.
“Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes të Dejtonit, Bosnja është ende një shoqëri e copëtuar që po lufton ende me trashëgiminë e së kaluarës. Gjuha e urrejtjes, madhërimi i kriminelëve të luftës dhe revizionizmi, pra mohimi i hapur i gjenocidit dhe krimeve të luftës, janë dukuri të shpeshta në ligjërimin politik, pavarësisht vendimeve të institucioneve gjyqësore ndërkombëtare “, deklaroi ndër të tjera Inzko.
Ky vendim parashikon burgim nga tre muaj deri në tre vjet, për të gjithë ata persona që publikisht nxisin dhunë ose urrejtje ndaj një grupi personash ose ndaj një anëtari të një grupi racor, fetar apo që ka kombësi e origjinë tjetër etnike.
Ndërkaq, dënim deri në gjashtë muaj deri në pesë vjet, do t’iu shqiptohet të gjithë personave që publikisht mohojnë, minimizojnë apo përpiqen të justifikojnë një krim të gjenocidit, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës, thuhet në vendim.
Vendimi, sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), përcakton që kushdo që jep mirënjohje, çmim ose ndonjë privilegj të ngjashëm për një person të dënuar për gjenocid apo për ndonjë krim lufte, ky akt do të dënohet të paktën me tri vjet burgim.
Kjo vlen edhe nëse emërtohet një objekt publik siç është rruga, sheshi, parku, ura, institucioni,komuna ose qyteti, vendbanimi, me një emër të një personi të dënuar për gjenocid, një krim kundër njerëzimit ose krim lufte ose në ndonjë mënyrë tjetër madhëron një person të dënuar me gjykim të formës së prerë për këto vepra penale.
Ky ligj do të hyjë në fuqi tetë ditë pas botimit në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë ose një ditë pas botimit në “Gazetën Zyrtare të Bosnjë dhe Hercegovinës”, cilado që ndodh më shpejt. Ndërkaq, vendimi i Inzkos hyn menjëherë në fuqi, transmeton Lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
Ndërkaq, anëtari kroat i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq përshëndeti vendimin e Përfaqësuesit të Lartë për të ndryshuar Kodin Penal, që ndalon dhe dënon mohimin e gjenocidit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë tha se mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës janë të papranueshme dhe minojnë besimin e ndërsjellë, që është i nevojshëm për përparimin e këtij shteti drejt Bashkimit Evropian.
Ambasada amerikane tha se gjenocidi në Srebrenicë nuk është një temë për diskutim, por një fakt historik.
Në Bosnje e Hercegovinë këtë vit u shënua 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë konstatoi në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.
Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Ndryshe, diplomat austriak, Valentin Inzko në muajin maj dha dorëheqje nga posti i përfaqësuesit të lartë në Bosnje, post që e ka mbajtur që nga viti 2009.
Nga 1 gushti, atë do ta zëvendësojë gjermani, Christian Schmidt.
Posti i përfaqësuesit të lartë, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar në pajtim me kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, që njihet si Marrëveshja e Dejtonit, që është arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuar. E njëjta u nënshkrua më 14 dhjetor, 1995 në Paris të Francës.
Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit.
Nga 2009, kur Inzko u bë kreu i Zyrës së përfaqësuesit të lartë (OHR), deri në 2014, ai mori gjithsej 76 vendime, duke përdorur kompetencat e Bonit.
Kompetencat e Bonit i lejojnë Zyrës së përfaqësuesit të lartë të shkarkojë zyrtarët që e shkelin Marrëveshjen e Dejtonit ose ligjet në Bosnje si dhe mund të vendosë ndalesa të caktuara ndaj tyre.
Këto kompetenca u miratuan nga Këshilli i Zbatimit të Paqes (PIC) në Bosnje e Hercegovinë, gjatë një takimi në Bon të Gjermanisë, në dhjetor të vitit 1997.