Cilët faktorë po ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve me fatalitet? Sa ndikojnë vendkalimet për këmbësorë dhe distanca në mes tyre në shkaktimin e këtyre aksidenteve? Cili është roli i vozitësve dhe këmbësorëve për parandalimin e tyre?
Këto janë vetëm disa pyetje rreth një realiteti shumë të pranishëm në Kosovë, përgjigjet e të cilave po ua sjellim më poshtë.
Nga Zamira Mehmetaj – Fol Drejt
Gjatë ditëve të fundit në Kosovë është raportuar për gjashtë raste të aksidenteve me fatalitet në mes të veturave dhe këmbësorëve apo biçiklistëve.
1.Një person është goditur nga dy vetura dhe ka humbur jetën, në Mazgit të Obiliqit
2.Aksidentohen një biçiklist dhe tri automjete, biçiklisti përfundon i vdekur
3.Kamioni godet biçiklistin dhe e lë të vdekur në Prizren
4.Këmbësori goditet për vdekje në Drenas
5.Vdes një person në Ferizaj si pasojë e goditjes nga vetura
6.Motoçiklisti goditet nga vetura dhe vdes, në Mitrovicë
Këta ishin vetëm disa nga titujt nëpër gazetat online në të cilat u njoftua për detajet e dhëna nga raporti i Policisë së Kosovës rreth këtyre aksidenteve, të cilat përfunduan me fatalitet në vendin tonë.
Bazuar në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, vetëm në komunikacion, janë lënduar mbi 3 mijë e 500 persona, ndërsa me fatalitet kanë përfunduar 44 aksidente nga ku humbën jetën 50 persona.
Për të folur më shumë rreth kësaj dukurie, Fol Drejt ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit, Beni Kizollin, i cili ka renditur një numër faktorësh të cilët bëjnë shkaktimin e aksidenteve me fatalitet në komunikacion.
“Mund të listojmë një listë faktorësh që standard janë prezent në vendin tonë:
- Mosrespektimi i shenjave të Komunikacionit
- Drejtimi nën ndikimin e alkoolit/drogës
- Radhitje e parregullt/ndërrimi i shiritave
- Kyçje e pasigurt në rrugë
- Kthim-rrotullimi
- Dalja/Hyrja nga Parkingu
- Parkingu i parregullt
- Ngasja në anë e gabuar
- Kalimi i rrugës në vendkalim për këmbësor
- Mbingarkesa ose ngarkesa e parregullt në automjet
- Gjendja teknike e automjetit
- Gjendja shëndetësore/lodhjadhe jo vetëm
- Anashkalim e tejkalimi i parregullt
- Dalja nga rruga
- Nga mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës/klimës
- Manipulimi i pasigurt me automjet (pakujdesia)
- Mosrespektimi i përparësisë së kalimit
- Tejkalimi i shpejtësisë së kufizuar”, është shprehur Kizolli.
Më tutje eksperti Kizolli ka shtuar se, nga hulumtimet të cilat janë bërë në lidhje me çështjen e sigurisë rrugore në Prishtinë, thuhet se niveli i aksidenteve me lëndime është në rritje të vazhdueshme, pothuajse 3 herë më i lartë në Prishtinë sesa mesatarja e BE-së (për 1000 banorë).
Sipas analizave të Shërbimit Policor të Kosovës në raport me aksidentet ndër vite, shkaktarë kryesorë të aksidenteve konsiderohen: manipulimi i pasigurt me automjet (pakujdesia), mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosmbajta e distancës së sigurisë, % kyçje e pasigurt në rrugë, kthim-rrotullim ose lëvizje prapa.
Si rrjedhojë, sa më shumë automjete në komunikacion, aq më të larta janë statistikat e aksidenteve.
Krahas faktorëve të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve, Kizolli ka sqaruar edhe rolin të cilin e kanë vendkalimet për këmbësorë, pozita e distanca mes tyre në parandalimin e aksidenteve.
“Distanca dhe pozita e vendkalimeve gjithsesi luan një rol në paraqitjen e aksidenteve. Por, ndriçimi dhe sinjalizimi me standarde në vendkalime janë faktorë kryesor që nxitin aksidentet. Kultura e përdorimit të vendkalimieve apo e mospërdorimit të vendkalimeve është një dukuri tjetër. Pavarësisht që në ato hapësira ekziston përparësia për këmbësor, por kjo nuk nënkupton që edhe kujdesi për të shfrytëzuar këtë drejtë që të mos jetë i shprehur”, u shpreh ai.
Në tri vitet e fundit në Kosovë, në bazë të të dhënave të policisë, janë shënuar rreth 300 raste të vdekjes në aksidente të trafikut, në vitin 2021 në aksidente trafiku kanë humbur jetën gjithsej 111 persona, në vitin 2020, 81 persona dhe në vitin 2019 përfunduan të vdekur 113 qytetarë në aksidentet e trafikut.
Policia me qëllim të respektimit të rregullave në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve ka shtuar aktivitetet në qytetet e Kosovës, me ç’rast ka bërë publike edhe të dhëna ku persona të shumtë janë gjobitur për shkak të mosrespektimit të shpejtësisë dhe kushteve të rrugës./FolDrejt/
Lexo edhe: Kaosi me aksidente në Kosovë, mungesë e infrastrukturës a pakujdesi e shoqërisë?